Podujevë: Drejtori Januzi akuzoi VV-në për tubime në kohë pandemie, por i harron ato të Nexhmi Rudarit

Kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, vazhdimisht është duke mbajtur takime me simpatizantë të tij, duke mos mbajtur as maskë e lëre më distancë.
Pa maskë e pa distancë mes njëri-tjetrit, Rudari, i shoqëruar nga disa bashkëpunëtorë të tij, shihen në disa vizita nëpër shtëpi të ndryshme në territorin e Komunës së Podujevës.
Përderisa gjatë ditës, Vezir Januzi i LDK-së ka akuzuar partitë për tubime, vetë ai ditë më parë organizoi një të tillë me qytetarë në objektin e Komunës së Podujevës.

Aty, siç thuhet në kumtesën komunale, u organizua një takim me fermerët përfitues të linjave për prodhimin e ushqimit të koncentruar (mullinj), me ç’rast u nënshkruan 50 kontrata për fermerët përfitues.
Madje, Komuna e Podujevës s’i ka përfillur as masat e vendosura ditë më parë nga Qeveria e Kosovës.
“Ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 5 personash në sheshe publike, parqe dhe vende të tjera publike, përjashtimisht për rastet e lejuara me këtë vendim”, ka qenë masa e vendosur nga Qeveria e Kosovës.