12:02 / E Diele, 20 Shtator 2020 / indeksADMonline

Policët e arrestuar në operacionin e Karaçevës dalin para Gjykatës

Në mesin e 33 personave që janë arrestuar në Karaçevë janë edhe 11 zyrtarë të Policisë së Kosovës që kryesisht shërbenin në zonën e Anamoravës, me dyshimin se keqpërdorën detyrën zyrtare. Prokuroria Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor i Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë lëshuar një komunikatë të përbashkët, ku kanë dhënë detaje nga aksioni i parmbrëmshëm në Karaçevë. E seanca e parë dëgjimore për këtë rast pritet që të nisë vetëm pas pak çasteve.

Disa nga policët e arrestuar tashmë janë dërguar në objektin e Gjykatës Themelore të Gjilanit.

Kujtojmë, që Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se aksioni i parmbrëmshëm në Karaçevë erdhi si rezultat i një hetimi gati një vjeçar. Aty u arrestuan 33 persona, në mesin e tyre 10 policë si dhe u sekuestruan aparate të lojërave të fatit, 120 gjedhe dhe prova të tjera materiale.

“Operacioni ka filluar si rezultat i një hetimi gati njëvjeçar të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Gjilan, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm, trafikimin me njerëz, trafikimin me armë, trafikimin me narkotikë, kontrabandimin e mallrave dhe aktivitete tjera kriminale. Deri në lëshimin e kësaj komunikate, në lidhje me rastin janë arrestuar gjithsej 33 persona të dyshuar, në mesin e tyre 10 zyrtarë policorë, të cilët brenda afatit ligjor do të paraqiten para gjyqtarit të procedurës paraprake, janë sekuestruar aparate të lojërave të fatit, rreth 120 gjedhe, si dhe gjësende të ndryshme si prova materiale, që dyshohet të jenë përdorur në aktivitete kriminale”, thuhet në njoftim.