Policët e lënduar në veri nisen drejt QKUK-së

Si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme vdekjeprurëse drejt zyrtarëve policorë sot në veri, deri më tani janë raportuar se gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore.
Prej tyre, pesë zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe një i nacionalitetit serb.
Burimet e IndeksOnline kanë thënë se policët të lënduar fillimisht janë trajtuar në Spitalin e Mitrovicës ndërsa para pak minutave janë nisur për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Policët kanë marrë lëndime kryesisht në duar dhe kokë.
Operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës Jugu dhe Mitrovicës Veri. Përderisa në të gjitha rajonet tjera operacioni policor ka kaluar pa probleme, në Mitrovicë Veri grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare./IndeksOnline/