13:59 / E Martë, 17 Korrik 2018 / indeksADMonline

Policët italianë futen në Shqipëri, kjo është arsyeja

Për herë të parë në qytetet kryesore bregdetare do të patrullojnë edhe efektivë të policisë italiane në bashkëpunim me atë shqiptare.

6 efektivë të vendit fqinj do t’u vijnë në ndihmë homologëve shqiptarë për të lehtësuar kontaktet me turistët italianë. Mësohet se ata nuk kanë të drejtë ndërhyrje dhe janë të paarmatosur.

Këtë verë në bregdetin shqiptar nuk do të shihni vetëm më shumë pushues italianë por për herë të parë edhe 6 policë nga vendi fqinj. Numri i lartë i pushuesve italianë gjithnjë e në rritje në bregdetin shqiptar ka sjellë edhe nevojën e policisë italiane për të patrulluar në tre qytete kryesore bregdetare, Durrës, Vlorë, Sarandë, njofton oraneës. Të gjithë ata italianë që do pushojnë në këto tre qytete për herë të parë do të ketë mundësi që për çdo problematikë apo nevojë t’u vijnë në ndihmë 6 efektivë të vendit të tyre.

Sipas kësaj marrëveshje mes Ministrisë së Brendshme Shqiptare dhe asaj italiane, 6 policët do të patrullojnë në këto zona nga data 16 korrik deri me 31 gusht dhe efektivët do të ndryshohen çdo 15 ditë. Mësohet se efektivët nuk kanë të drejtë ndërhyrje dhe as nuk do të jenë të armatosur

Efektivët italianë do të kryejnë patrullime në këmbë, të veshur me uniformë dhe do t’i vijnë në ndihmë policisë shqiptare për të lehtësuar kontaktet e turistëve italianë me autoritetet shqiptare si dhe me përfaqësitë diplomatike e konsullore në vend.

Këtë bashkëpunim dypalësh në fushën e sigurisë e ka mirëpritur edhe Ambasada Italiane në Tiranë, e cila thekson se rrjeti konsullor në Tiranë dhe në Vlorë është në dispozicion të shtetasve italianë që vizitojnë Shqipërinë.

Në kuadër të masave për rritjen e sigurisë gjatë sezonit, Policia e Shtetit ka marrëveshje edhe me Policinë e Kosovës, Malit të Zi, Kroacinë dhe Maqedoninë që bëjnë patrullime të ngjashme.