Policët në Aeroport pajisen me armë të gjata
Policia e Kosovës ka hartuar një plan operativ për të ofruar më shumë siguri në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” gjatë stinës së verës ku fluksi i udhëtarëve rritet dukshëm.
Tani në hapësirën e Aeroportit do të patrullojnë zyrtarët policor me armë të gjata, raporton Indeksonline.
Komandanti i policisë kufitare në Aeroport, Shpend Maliqi ka deklaruar se presin një fluks të madh të udhëtarëve, diku brenda dy muajve rreth 600 mijë udhëtarë dhe si polici janë të përgatitur dhe kanë një plan operativ që kanë filluar më 15 qershor dhe përfundon më 15 shtator.
“Ne jemi 24 orë me kapacitete 100 përqind dhe të gatshëm për t’iu përgjigjur çdo problemi dhe sfidë me të cilën ballafaqohemi. Gjithashtu iu njoftojë se për shkak të rritjes së masave të sigurisë dhe të numrit të udhëtarëve, ne kemi filluar patrullimin edhe me armë të gjata që është një masë shtesë”, ka deklaruar Maliqi.
Ai shtoi se janë 105 zyrtarë policorë që shërbejnë në ANP dhe pas kërkesës që kanë bërë shpresojnë që do të rritet numri i tyre./Indeksonline/
