75 Mall Live Search
18:21 / E Martë, 19 Prill 2022 / k.v

Gjykatat mbushën me lëndë/ Policët në pritje të pagesave për shujta e pagë të 13-të

Mijëra pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë dorëzuar lëndë nëpër Gjykatat Themelore për të kërkuar pagesat që u takojnë me ligj, për shujta, pagën e 13-të (shpërblim për policët që kryejnë suksesshëm detyrat përgjatë vitit) dhe pagën jubilare.

Avokati Kastriot Feka, përfaqëson rreth 8 mijë zyrtarë policor në gjykatë dhe ai pret që së shpejti të nisin seancat për këto lëndë.

“Gjatë këtij muaji presim të nisin seancat e para sepse ka disa lëvizje në këtë drejtim”, ka thënë avokati Feka duke shtuar se rastet në gjykatë janë dorëzuar që 1 vit e dy muaj.

IndeksOnline ka mësuar se disa raste nëpër gjykata të komunave më të vogla janë fituar në shkallën e parë ndërsa tani ndodhen në apel.

Edhe kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri ka thënë për IndeksOnline se janë duke pritur shqyrtimin e rasteve nga gjykatat.

“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me avokatin që ka angazhuar Sindikata e Policisë. Kërkesat e policëve janë të drejta dhe të bazuara në ligje”, ka thënë Zeqiri.

Sikurse policia, edhe mësimdhënësit kanë ngritur padi për të marrë atë që u takon me ligj. Shumë mësimdhënës i kanë fituar rastet dhe mijëra euro janë derdhur në llogaritë e tyre bankare.

Marrëveshja e përgjithshme kolektive e Kosovës, neni 5 i cili flet për Kompensimin e shpenzimeve për ushqim gjatë punës thotë:

Të punësuarve, u sigurohet kompensimi për ushqim, gjatë punës (prej 8 orë), për ditët e pranisë në punë. Vlera e kompensimit të shpenzimit të ushqimit në punë, për një ditë pune, është dy (2) euro, varësisht nga rrethanat dhe mundësitë për rastet konkrete.

Aty ku nuk ka shtesa mbi pagën bazë dhe ka mundësi financiare, mund të paguhet kompensimi për ushqim gjatë orarit të punës.

Punëdhënësi, i cili ka të rregulluar ushqimin e të punësuarve, përmes restorantit, kuzhinës, ose në një formë tjetër, nuk ka obligim pagese (2 euro), të të punësuarve për ushqim.