75 Mall Live Search
12:23 / E Premte, 13 Qershor 2025 / mp

Polici Dushi për Banjskën: Nga shpërthimi i fuqishëm më duket se u ngrita nga toka, të shtëna të pandërprera, sulm i përgatitur mirë

“Dhimbje, krenari dhe plagë që nuk shërohen lehtë”, kështu përshkruhet dëshmia e zyrtarit policor Sedat Dushi në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku po zhvillohet procesi gjyqësor për rastin e sulmit terrorist në Banjskë.

Ai nuk foli vetëm për përjetimet e asaj nate kur mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, por edhe për atë që e quan plagën më të thellë, dhimbjen e familjes së kolegut të tij të ndjerë.

“Fëmijët e rreshterit, me siguri e përjetojnë rëndë mungesën e prindit. Por ata tashmë janë rritur dhe e kuptojnë, edhe pse me dhimbje të madhe dhe mërzi të madhe. Në vazhdim ata do të mburren dhe të jenë krenarë për babanë e tyre dhe veprën e tij që ka bërë. Lavdi e përhershme rreshterit Afrim Bunjaku, tani hero i Kosovës”, tha ai.

Dushi, dëshmitari i dytë në këtë proces, përshkroi në detaje natën e 24 shtatorit 2023, kur Policia e Kosovës ra në pritën e një grupi të armatosur serb, të cilët, sipas dëshmitarëve, ishin të trajnuar nga struktura paraushtarake të Serbisë.

Sipas tij, gjithçka nisi rreth orës 02:35 të mëngjesit, kur kishin marrë urdhër nga rreshteri Afrim Bunjaku që të përgatiteshin dhe të shkonin në drejtim të fshatit Banjskë. U njoftuan se ura hyrëse për në fshat ishte bllokuar nga dy kamionë.

“Jemi nisur me dy automjete. Rrugës për në fshatin Banjskë, para se të arrinim te vendi i ngjarjes, kemi ndaluar një veturë të dyshimtë që po lëvizte ngadalë. E kemi kontrolluar, personi nuk kërkohej, por kemi gjetur një antenë të radiolidhjes Motorola”, tha ai.

Më pas, kishin vazhduar në drejtim të urës në fshat dhe kishin vërejtur ndriçim të fortë. Në ato momente, rreshteri kishte urdhëruar shpërndarjen për të evituar ndonjë sulm të mundshëm.

“Edhe pa u pozicionuar mirë ka shpërthyer një detonim i fuqishëm. Nga ai detonim më duket se jam ngritur nga toka. Më pas kanë filluar të shtënat e pandërprera, me armë të kalibrave të ndryshëm. Kishim të bëjmë me një sulm të përgatitur mirë, nga shumë pozicione”, tha ai.

Ai tha se në terren kishin vërejtur agresorë me uniforma që ngjanin me ato ushtarake, disa të maskuar, të cilët shtinin nga drejtime të ndryshme, përfshirë nga afërsia e manastirit, shkolla dhe kodrat përreth.

“Kam vërejtur shkëndija zjarri nga persona që shtinin në ne, me armë në dorë, me uniformë që ngjanin me uniformë ushtarake. Nuk mund të them ngjyrën pasi ishte natë. Disa me kapela dhe me maska. Nuk di t’i identifikoj: 20, 25 apo 30 veta. Nga ana tjetër e lumit na shtinin pa ndërprerje”, tha Dushi.

Në kushte të vështira, me ndihmën e kolegëve, kishin arritur ta tërheqin trupin e rreshterit Bunjaku dhe ta nisnin për në emergjencë.

“Me vështirësi kolegët kanë arritur të vendosin trupin e Afrimit në automjet. Edhe kolegu Albani u ka ndihmuar. Është nisur automjeti në drejtim të Mitrovicës, është goditur automjeti, është dëgjuar goma që është goditur, por ata kanë vazhduar drejt emergjencës”, tha ai.

Pas sulmit, Dushi tha se ka përjetuar trauma të rënda fizike dhe psikologjike.

“Kam kërkuar shërbime mjekësore, kam pasur terapi psikologjike dhe psikiatrike. Pas ekzaminimeve të bëra nga mjekët dhe raportet e tyre, unë kam humbur dëgjimin rreth 30 për qind. Shpesh herë vajza thoshte se babi nuk po dëgjon. Nuk i kam treguar me detaje fëmijëve”, tha ai.

Për fund, ai theksoi se si zyrtarë policorë kanë qenë të kujdesshëm edhe gjatë shkëmbimit të zjarrit, për të shmangur ndonjë dëmtim të mundshëm të banorëve të fshatit.

“Ka qenë vështirë të marrim në shenjë personat sulmues, duke u frikësuar që mos po dëmtojmë ndonjë qytetar, banorët e fshatit që në atë kohë mund të kenë dalë në dritare për të parë çka po ndodh. Kjo është dëshmia më e mirë që asnjë nga banorët nuk ka pësuar as dëm fizik, as në pronë”, u shpreh Dushi.