Polici i vdekur nga Covidi-19, para 10 dite kishte probleme me boshtin kurrizor

Policia e Kosovës (PK), referuar situatës dhe rrethanave të krijuara që nga paraqitja e pandemisë ka qenë e angazhuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore, të bazuara në vendimet e institucioneve të Kosovës dhe planit të gatishmërisë dhe reagimit kundër COVID-19.
Policia e Kosovës të gjitha aktivitetet dhe masat e deritashme i ka marrë e ndërmarrë në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucioneve tjera relevante. Kujdes të veçantë i ka kushtuar aplikimit të masave mbrojtëse për qytetarët, por edhe për vetë zyrtarët policorë, të cilët ballafaqohen me situata dhe raste të natyrave të ndryshme si reagues të parë.
Që nga paraqitja e pandemisë e deri sot, 154 zyrtarë policorë kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, prej tyre janë shëruar 77 zyrtarë policorë, ende aktivë në trajtim janë 76 zyrtarë policorë, ndërsa fatkeqësisht zyrtari policor Ilir Gjokaj, i lindur në vitin 1981 në Gjakovë, mbrëmë në orët e vona (16.07.2020) ka ndërruar jetë.
Zyrtari policor i cili ka qenë duke shërbyer në Stacionin policor në Gjakovë, nga 07.07.2020 është paraqitur në pushim mjekësor për shkak të problemeve më boshtin kurrizor, kurse nga 11.07.2020 është shtruar në Repartin Pulmologjik për shkak të problemeve me frymëmarrjen. Pas testeve të kryera, më 14.07.2020 kishte rezultuar pozitiv më Covid-19, ndërsa më 15.07.2020 është transferuar për trajtim mjekësor në Prishtinë.
Policia e Kosovës përmes DRP të Gjakovës, Drejtorisë së Shërbimeve Shëndetësore në bashkëpunim me ekipet mjekësore janë përkujdesur në vazhdimësi për zyrtarin policor dhe tani me rastin e humbjes së tij ju shpreh ngushëllime familjes dhe gjithë qytetarëve të Kosovës.