14:53 / E Martë, 12 Janar 2021 / k.v

Policia: Aktivistët e PSD-së ishin agresiv, ata po merren në pyetje

Policia e Kosovës është deklaruar për protestën e sotme të aktivistëve të PSD-së të mbajtur përballë stacionit policor- Qendra në Prishtinë.

“Sot rreth orës 13:00 në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë, një grumbull personash kanë zhvilluar një aktivitet të paparalajmëruar për shkrimin e grafiteve në sipërfaqen murale të stacionit policor- Qendra”, ka thënë Flora Ahmeti, zyrtare për informim në Policinë rajonale të Prishtinës.

Ajo ka thënë se me gjithë faktin se këta persona paraprakisht janë këshilluar nga policia për veprimet e tilla të palejuara, ata duke shfaqur vazhdimisht shenja të agresivitetit, veprimeve të ulëta të kontaktit fizik me pjesëtarë të policisë, (duke tërhequr pjesëtarët e policisë), shpërfilljes së urdhrave të zyrtarëve policorë si edhe pengim të tyre në kryerjen e detyrës zyrtare, kanë arritur të dëmtonin muralet e stacionit policor me grafitet e tyre të vendosura aty.

“Duke u gjendur në rrethana të tilla, policia ka shoqëruar në stacionin policor 16 prej tyre dhe aktualisht ata janë duke u proceduar në fazën preliminare”, ka thënë Ahmeti.

Së këndejmi është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, i cili bashkërisht me policinë po koordinohen për veprimet vijuese që konsistojnë në zbardhjen e të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen, përpara masave të mëtejme në procedurë./IndeksOnline/