Policia aktivizon dronin në Gjakovë, gjatë 2 dite shqipton mbi 500 gjoba

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor duke përdorur dronin policor është angazhuar në realizim të planit të veprimit të ashtuquajtur “Droni (tejkalimet e palejuara dhe tejkalimet e kolonës së mjeteve)”, qëllimi i së cilit ka qenë identifikimi i kundërvajtësve të ndryshëm në trafikun rrugor, posaçërisht identifikimi i kundërvajtësve të cilët kanë bërë tejkalime me mjetet e tyre në vende të ndaluara me vijë të plot dhe tejkalim të kolonës së mjeteve duke rrezikuar pjesëmarrësit në trafik.
Ky plan veprimi është realizuar në disa rrugë në rajonin e Gjakovës, ku nga data 10.05.2024 e deri më 12.05.2024 janë identifikuar pesëqind e njëmbëdhjetë (511) kundërvajtës të cilëve ju janë shqiptuar gjoba, ndërsa janë konfiskuar gjashtëdhjetë e tre (63) patentë shoferi si masë mbrojtëse.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, përmes aktiviteteve të ndryshme policore do vazhdon me realizimin e planeve operative me qëllim parandalimin e aksidenteve, andaj edhe apelojmë tek të gjithë shoferët që të respektojnë rregullat e trafikut rrugor në mënyrë që të jenë kontribuues në rritjen e sigurisë në komunikacionin rrugor./IndeksOnline/
