19:34 / E Hënë, 02 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Policia arreston një person nga Deçani, vite me radhë përdori identitet të rrejshëm

Policia e Kosovës -Drejtoria Rajonale  e Policisë në Pejë, me datë 30.08.2019, ka lëshuar kërkesë për bashkëpunim me qytetarë për arrestimin e personit të kërkuar LUAN ( Muhamet) LAJQI, i cili kërkohej për dy (2) vepra penale ‘vrasje në tentativë’ në kërkim nga  Gjykata Themelore në Pejë, dhe një (1) vepër ‘vetëgjyqësi’, në kërkim nga  Gjykata Themelore në Gjakovë.

Policia e Kosovës falë bashkëpunimit me qytetarë pas publikimit të fotos së personit të kërkuar, ka arritur të siguroj informacion lidhur me vendndodhjen e të kërkuarit dhe sot me datë 02.12.2019 rreth orës 15:30 në fshatin Llukë e Epërme –Deçan , është bërë arrestimi i tij nga njësitet policore të stacionit policor në Deçan. 

Sektori i hetimeve në Deçan kanë arrestuar të dyshuarin e lartcekur  i cili është i dënuar me një vit e tre muaj burgim për veprën penale ‘vetëgjyqësi. Ky dënim ju ka shqiptuar nga Gjykata Themelore në Pejë me emrin Argjend MOLLIQAJ. I njëjti e ka ndërruar emrin nga Argjend MOLLIQAJ, në Luan LAJQI dhe me ketë emrin e fundit i njëjti po ashtu ka qene i kërkuar me Urdhëresë për sjellje me forcë , të lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë. I dyshuari i lartcekur është dërguar ne vuajtje dënimi.

Rritja e besimit në Policinë e Kosovës, rritja e bashkëpunimit të qytetarëve me Policinë e tyre do të qojë në përforcimin e mëtejshëm të Policisë dhe në të njëjtën kohë edhe në rritjen e efikasitetit dhe suksesit në punët policore. 

Për suksese në parandalimin e krimeve, qytetarët nuk duhet hezituar, duhet të kthehen në Polici pa uniforma dhe vetëm me bashkëpunimin e tyre si në të gjitha vendet e qytetëruara, do të arrijmë të jetojmë në një vend më të sigurt. 

Policinë e Kosovës në Rajonin e Pejës e ndihmuan qytetarët dhe falënderojmë të gjithë për besimin dhe shtimin e bashkëpunimit në realizimin e planeve për të mirën e vet qytetarëve dhe vendit.