75 Mall Live Search
20:01 / E Hënë, 15 Shtator 2025 / F.R

Policia arreston një person të dyshuar për korrupsion dhe mashtrim në prokurim publik në Prizren

Policia e Kosovës ka ndaluar një person të dyshuar për vepra penale të korrupsionit dhe mashtrimit në procedurat e prokurimit publik, pas një aksioni të zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren.

Sipas njoftimit të Policisë, hetimet janë udhëhequr nga Sektori për Hetime Financiare dhe kanë çuar në zhvillimin e kontrollit të autorizuar në disa lokacione, më datë 15.09.2025. Gjatë operacionit janë sekuestruar pajisje elektronike dhe dëshmi të tjera materiale që dyshohet se kanë lidhje me veprimtarinë e kundërligjshme.

Policia njoftoi se në njërin nga lokacionet është gjetur edhe një armë zjarri me municion, për të cilën është inicuar një rast i veçantë dhe është angazhuar njësia përkatëse.

I dyshuari është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të rastit është ndaluar për 48 orë.

Policia e Kosovës thekson se, në koordinim me organet e drejtësisë, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore deri në zbardhjen e plotë të rastit./IndeksOnline/