Policia arreston një qytetar, kamera kap momentin kur qëllimisht e ndezi zjarrin (Pamje)

Sot rreth orës 15:55, stacioni policor në Mitrovicën e Veriut ka pranuar një informatë për një zjarr të shpërthyer në lagjen “Kodra e Minatorëve”.
Sipas policisë, menjëherë pas pranimit të informatës, njësitë policore kanë dalë me urgjencë në vendin e ngjarjes. Thirrjes i është përgjigjur edhe njësia e zjarrfikësve, të cilët, në bashkëpunim me policinë, kanë arritur ta lokalizojnë dhe ta shuajnë zjarrin.
“Zjarri kishte rrezikuar disa shtëpi të banimit si dhe automjete që ndodheshin në afërsi, por për fat të mirë, falë reagimit të shpejtë të autoriteteve, është shmangur përhapja dhe dëmtimi i mundshëm” thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin, njësitë përkatëse kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e shkaktimit të zjarrit. Pas një pune të shpejtë operative dhe hetimore, është siguruar një video-incizim ku shihet një person duke i vënë zjarrin barishtes me qëllim.
“Personi i dyshuar është identifikuar si Z.M., 42 vjeç, i cili është arrestuar në shtëpinë e tij në Mitrovicën e Veriut.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë. I njëjti do të hetohet për veprën penale “Zjarrvënie”” thuhet tutje në njoftim.
Me këtë rast, Policia e Kosovës u ka bërë apel të gjithë qytetarëve që të shmangin veprimet e rrezikshme si ndezja e zjarreve në hapësira të hapura, veçanërisht gjatë muajve të nxehtë të verës, pasi ato paraqesin rrezik serioz për jetën, pronën dhe ambientin.
“Inkurajojmë qytetarët që në rast të vërejtjes së ndonjë veprimi të tillë, menjëherë ta lajmërojnë Policinë e Kosovës përmes numrit emergjent 192, ose përmes kanaleve të tjera zyrtare të komunikimit.
Bashkëpunimi i qytetarëve është kyç për parandalimin dhe zbulimin e veprave penale” deklaron PK-ja.