13:44 / E Martë, 19 Janar 2021 / OSH

Policia arreston vëllanë e Ardit Ferizit, të dënuarit për terrorizëm në SHBA

Policia e Kosovës ka arrestuar vëllanë e Ardit Ferizit nga Gjakova, i cili tashmë është i dënuar me 20 vjet burgim në Shtetet e Bashkuara për vepra terroriste, ka thënë Policia e Kosovës për Radion Evropa e Lirë, pa dhënë detaje se kur ka ndodhur arrestimi.

Derisa ishte në burg, Ardit Ferizi, ka bashkëpunuar me vëllanë e tij ku kanë kryer vepra penale, siç janë hyrje në informacione personale të qytetarëve të SHBA-së me qëllim të përftimit material, thuhet në një aktakuzë të ngritur në fillim të këtij muaji nga Departamenti amerikan i Drejtësisë.

“Policia e Kosovës ka trajtuar disa raste ku personi në fjalë ka qenë i dyshuar, kryesisht raste me element të sulmeve kibernetike”, thuhet në një përgjigje të Policisë së Kosovës dërguar REL-it.

“Ai është arrestuar si i dyshuar për këto raste, për të cilat në kohën e kryerjes së veprës ka qenë i mitur. Të gjitha rastet janë proceduar me kallëzim penal në prokuroritë përkatëse”, thuhet në përgjigje.

Policia nuk ka treguar se cili është roli i autoriteteve amerikane në rastin e arrestimit të kosovarit, mirëpo ka thënë se “ka pasur bashkëpunim edhe me institucione dhe autoritete të tjera kompetente”./Rel/

Foto/Ilustrim