75 Mall Live Search
13:22 / E Enjte, 21 Korrik 2022 / AR

Policia bastis zyret e NPB-së për projektin e ndërtimit në Lakrishtë

Me datën 19.07.2022, pasdite, një numër i madh i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës janë paraqitur pranë zyrave të NPB-së dhe kanë paraqitur një urdhër kontrolli për të marrë një numër të dokumenteve të ndërmarrjes tonë. Këto dokumente ndërlidhen me projektin më të rëndësishëm të Ndërmarrjes sonë – projektin e ndërtimit në Lakrishtë.

“Nga ajo që kemi kuptuar është që të gjitha këto dokumente që janë kërkuar i ishin dorëzuar organeve të rendit 5 muaj më herët. Pasur parasysh këtë fakt, kërkesa e tyre është e pakuptimtë. Përgjatë orëve që këta zyrtarë policorë ishin në ambientet tona, kanë bërë shkelje ligjore. Ata kanë qëndruar në dy kate duke mos lejuar praninë e askujt nga zyrtarët tanë  për rreth një orë. Për më shumë ata kanë tejkaluar çdo limit me një veprim tjetër po ashtu të kundërligjshëm: për një orë që ata kanë qëndruar pa prezencën e zyrtarëve të NPB  në katin e dytë dhe të tretë i kanë ndalur të gjitha kamerat e sigurisë duke vepruar në kundërshtim me nenin 108 pika 6 të Kodit nr. 04/L-123 të Procedurës Penale.

E gjithë kjo veprimtari e këtyre zyrtarëve policor është në kundërshtim me dispozitat përkatëse të procedurës penale në fuqi dhe për të njëjtën NPB do merr të gjitha hapat e nevojshëm ligjor për ta adresuar këtë ndërhyrje të paprecedentë në një Ndërmarrje Publike.

NPB deri më tani ka dëshmuar bashkëpunim me çdo insitucion publik në raport me çdo kërkesë që i është paraqitur përfshirë këtu edhe organet e rendit publik në përputhje me nenin 66 të Kodit nr. 04/L-123 të Procedurës Penale.

Projekti i ndërtimit në lagjen Lakrishtë që përbën rritjen më të madhe të një prone publike ndonjëherë nga paslufta e tash, ka qenë cak i sulmeve të orkestruara tash e sa kohë, ndonëse Qeveria e humbi rastin për anulimin e këtij projekti në dy instanca gjyqësore ku edhe u vertëtua ligjshmëria e këtij projekti”, njofton NPB./Indeksonline/