Policia bllokon hyrje-daljet në Prishtinë, dyshohet për mjet shpërthyes

Policisë së Kosovës i është dashur sot që të bllokojë një nga hyrje-daljet më të qarkullueshme të Prishtinës.
Për shkak të dyshimit për një mjet shpërthyes në afërsi të Kazermës ‘Adem Jashari’, policia ka bllokuar rrugën që nga lagjja Dardania deri tek rrethi i Fushë-Kosovës, raporton Indeksonline.

Lidhur me këtë pak më parë Indeksonline ka kontaktuar Policinë e Kosovës, të cilët kanë bërë të ditur se janë duke u marrë me rastin dhe se nuk ka arsye për shkaktim të ndonjë paniku apo shqetësimi tek qytetarët.

”Raportohet se një qytetar në Prishtinë, dyshohet të ketë hasur në një mjet të dyshimtë, dhe i njëjti e ka marr mjetin dhe me automjetin e tij (në bagazh ) e ka dërguar për ta dorëzuar tek Forca e Sigurisë së Kosovës. Janë informuar të gjitha njësitet relevante dhe Policia është në vendin e ngjarjes. Rasti po trajtohet nga kompetentët dhe nuk ka arsye për shkaktim të ndonjë forme të panikut apo shqetësimi për qytetarët”, ka thënë zëdhënësi për media nga Policia e Kosovës, Daut Hoxha./Indeksonline/