16:00 / E Martë, 06 Mars 2018 / indeksADMonline

Policia deklarohet pas raportimit të ushqimit jokualitativ në kampin e “Vrellës”

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndërmarrë masa për të verifikuar raportimet mbi ushqimin e dyshuar të Njësisë Speciale të Kosovës në kampin “Vrellë”.

Ky sqarim i policisë vije pas raportimit të Indeksonline gjatë ditës së sotme, në një artikull të publikuar për ushqim jo të shëndetshëm të pjesëtarëve të Njësisë Speciale.

Sipas Policisë së Kosovës e në këtë kuadër edhe Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës furnizohen me ushqim nga kompania e cila është përzgjedhur në bazë të procedurave publike të hapura të prokurimit.

“Lidhur me publikimet e sotme në portale të ndryshme, që ka të bëjë me ushqimin që përdorin Njësitet Speciale të PK-së ju informojmë se: Policia e Kosovës e në këtë kuadër edhe Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës furnizohen me ushqim nga kompania e cila është përzgjedhur në bazë të procedurave publike të hapura të prokurimit”, thuhet në sqarimin e Policisë.

Sipas tyre megjithëse ekziston një mbikëqyrje dhe kontroll i vazhdueshëm i kualitetit të ushqimit, zyrtarët përgjegjës të cilët pranojnë ushqimin në baza të rregullta kanë të drejtën dhe mundësinë e parashtrimit të çfarëdo ankese që ndërlidhet me kualitetin e ushqimit.

“Edhe pse raportimi  ka ndodhur disa ditë me vonesë, me pretendimet se në ushqim është gjetur diçka e dyshimtë, autoritetet kompetente mbrenda PK-së kanë filluar  të gjitha veprimet e nevojshme për ta trajtuar dhe verifikuar rastin. Fotografia e publikuar në media nuk përcakton vendin, kohën dhe as rrethanat që ndërlidhin me rastin. Policia e Kosovës është duke e trajtuar me seriozitet këtë raportim në lidhje me dyshimet e raportuara”, thuhet në sqarimin e Policisë së Kosovës. /Indeksonline/