12:11 / E Martë, 31 Korrik 2018 / indeksADMonline

Policia deklarohet për porositë e vrasjes së serbëve në Kosovë

Disa porosi për vrasje të serbëve në Kosovë kanë dalë në pah ditën e sotme.

Përkatësisht, një pako në të cilën gjendeshin një revole e modelit ‘VZOR’ 7.65mm, 6 plumba, medikamente të ndryshme (trodon, tramadol, bensedin dhe disa ampula), si dhe një letër e shkruar në alfabetin cirilik, ka arritur para disa ditësh në adresë të Radomir Repanoviq, nga fshati Osojan i komunës së Istogut.

Në këtë letër thuhet se Repanoviq është caktuar nga ushtria e ashtuquajtura ‘Ushtria popullore e Kosovës dhe Metohisë’ të ndërmarr aksione kundër popullatës serbe në Kosovë, në mënyrë që të sakrifikojë serbët e këtushëm karshi ndërkombëtarëve, si dhe më pas të thuhet se vrasjen e kanë bërë shqiptarët.

Për këtë Policia e Kosovës është deklaruar se sipas ligjit do të ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore.

Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha për Indeksonline ka thënë se të gjitha këto raste trajtohen sipas procedurave ligjore.
“Policia e Kosovës bazuar në mandatin e saj ligjor që ka, për të gjitha rastet ndërmerr veprime të nevojshme hetimore dhe operative dhe i trajton ato sipas procedurave të parapara ligjore”, thuhet në përgjigjën e tij.

Sipas letrës së dërguar nga një postier prej veriut të Mitrovicës, Repanoviq si shpërblim për punën e kryer do të marr shumë të konsiderueshme të parave, ndërsa letra mban nënshkrimin e zëvendëskomandantit të kësaj ushtrie, Momir Radenekoviq./Indeksonline/