18:42 / E Mërkurë, 15 Shtator 2021 / AR

Policia deklarohet për rastin ku një grumbull fëmijësh gjuajtën me gurë veturat në qarkullim në Prishtinë

Indeksonline dje ka publikuar një video teksa shihen disa fëmijë te “Mati 1” duke gjuajtur me gurë veturat që ishin në qarkullim.

Lidhur me rastin është deklaruar për Indeksonline zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ajo u shpreh se menjëherë Policia ka ndërmarrë masat për sqarimin e rrthanave të ngjarjes.

Tutje, Ahmeti shtoi se janë identifikuar tetë persona të moshës së mitur (disa prej tyre fëmijë ) dhe nga veprimet e ndërmarra në përputhje me kodin për të mitur, Policia ka evidentuar elementet që kanë karakterizuar sjelljen e të sipër cekurve dhe në koordinim me prokurorin e shtetit ka vijuar më tej.

“Referuar pamjeve të publikuara në platformat informative të internetit në të cilat një grup fëmijësh shihen duke hedhë gurë në drejtim të veturave në lëvizje që pretendohej të ishte lagja Mati – I – në Prishtinë, policia e rajonit të Prishtinës duke konsideruar si shqetësuese për komunitetin sjelljet e tilla, menjëherë ka ndërmarrë veprimet policore për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Si rrjedhojë e trajtimit preliminar që u është bërë rrethanave të ngjarjes rruga “C” në Prishtinë ka rezultuar të jetë vendi ku ka ndodhur ngjarja, përderisa janë identifikuar tetë persona të moshës së mitur (disa prej tyre fëmijë ).

Nga veprimet e ndërmarra në përputhje me kodin për të mitur, policia ka evidentuar elementet që kanë karakterizuar sjelljen e të sipër cekurve dhe në koordinim me prokurorin e shtetit ka vijuar më tej. Deri më tani në stacionet policore nuk ka të paraqitur ndonjë ankues për dëmtim prone apo të ngjashme e që ndërlidhet me rastin në fjalë, porse në çfarëdo rrethane nëse dikush konsideron veten si viktimë e sjelljeve të tilla mund të paraqitet në stacionin policor“, u shpreh Ahmeti./Indeksonline/