Policia deklarohet për tentim grabitjen, konfirmon se dy persona u plagosën

Policia e Kosovës është deklaruar për Indeksonline pas tentim grabitjes së armatosur te Liqeni i Badovcit.
Në njoftimin e tyre thuhet se persona të dyshuar kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të automjetit që po kryente transportin e parave.
Kështu si pasojë dy persona kanë mbetur të plagosur të cilët po trajtohen në QKUK.
“Rreth orës 16:45 policia ka marrë informatën për një tentim grabitje të armatosur në rrugën magjistrale Prishtinë -Gjilan. Menjëherë pas informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore.
Bazuar në informacionet e para janë ngritur dyshimet se persona të dyshuar në rrethana që aktualisht po trajtohen nga policia, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të automjetit që po kryente transportin e parave. Për pasojë dy persona pjesë e kompanisë që po kryente transportin janë plagosur dhe të njejtit janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.
Të dyshuarit nuk kanë arritur të kryejn grabitjen por si e tillë ka mbetur në tentativë, dhe të njejtit kane ikur nga vendi i ngjarjes. Policia ka filluar një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë ngjarjen me qëllim zbardhjen e tyre dhe identifikimin e të implikuarve“.
Indeksonline ka siguruar edhe pamje nga vendi i ngjarjes.

