Policia deklarohet rreth grafiteve në vagonët e trenit në Han të Elezit
Trainkos-i sot njoftoi për vandalizimin e vagonëve të trenit, në Han të Elezit.
Përmes një deklarate zyrtare, nga Trainkos-i u shprehen se investimi në ngjyrosjen e trenit është quar dëm për shkak të disa grafiteve nga persona të panjohur, shkruan IndeksOnline.
“Sot, vagonët tanë të sapo-riparuar janë dëmtuar dhe ngjyrosur me grafite në mënyrë të qëllimshme në Stacionin Hekurudhor të Hanit të Elezit. Ky incident vjen pas dëmtimit të xhamave që kishte ndodhur në muajin prill.
Këta vagonë janë riparuar me një investim prej 423,000 euro, nga buxheti i Republikës së Kosovës, dhe ende pa u vënë në operim janë dëmtuar sërish” deklaroi Trainkos-i.
Rreth kësaj çështjeje, zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, deklaroi për IndeksOnline se janë duke u hetuar rrethanat e rastit.
“Sot rreth orës 09:15, përgjegjësi i Infrakos-it ka njoftuar policinë se persona të panjohur kanë shkruar grafite në dy vagona të udhëtarëve, të cilët ndodhen në stacionin e Trenit në Han të Elezit që nga dhjetori 2024 dhe janë pronë e kompanisë TRAINKOS.
Është kontaktuar prokurori i shtetit dhe rasti është cilësuar si “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”. Rasti po hetohet nga Njësisë së Hetimeve” deklaroi Veseli./IndeksOnline/

