09:06 / E Martë, 24 Tetor 2023 / A. M.

Policia del me rekomandime për shoferët për ngasje gjatë mjegullës

Policia Rajonale në Ferizaj apelon tek shoferët e automjeteve që të bëjnë kujdes gjatë drejtimit në mot me mjegull.

Me anë të një komunikate për media theksohet se ka filluar prezenca e mjegullës në vendet ku pozita gjeografike është më e ulët dhe rekomandohen shoferët e automjeteve që:

– Mos harroni se ngasja në mjegull mund të jetë e rrezikshme!

– Mbani në vëzhgim rrugën për ndryshime të papritura të dukshmërisë, mjegulla më e dendur mund të jetë më afër lumenjve,

– Përdorni dritat e mjegullës. Nëse automjeti juaj i ka këto drita, kjo ju ndihmon të ndriçohet rruga para jush dhe këto drita e bëjnë automjetin tuaj më të dukshëm për shoferët tjerë. Disa automjete kanë edhe dritat e pasme të mjegullës, të cilat ndihmojnë shoferët që lëvizin mbrapa t’ju shohin juve edhe nga një distancë më e madhe.

– Mjegulla mund të krijojë një iluzion optik dhe t’i bëjë shoferët të mendojnë se po shkojnë më ngadalë seç janë. Mbani vëmendjen, mos shpejtoni!

– Ndizni dritat gjatë ngasjes, por mos ndizni dritat me rreze të gjatë!

– Ngasja e automjetit me drita të gjata mund të reflektojë jashtë mjegullës dhe mund të kthehet në automjetin tuaj, e cila gjithashtu e bën të pamundur që shoferët tjerë t’ju shohin.

– Mbani ndezur dritat e shkurtra dhe të mjegullës!

– Mbani nën kontroll shpejtësinë e lëvizjes!

– Mbani krahun e djathtë të rrugës gjatë lëvizjes!