17:36 / E Diele, 16 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Policia dhe FASK tregojnë pse u anulua gara në Sllatinë, ku ishin mbledhur mijëra njerëz

Një garë veturash në kategorinë “Drag” ishte planifikuar të zhvillohej sot nga ora 12:00 në pistën e vjetër të Aeroportit në Sllatinë.

Mijëra shikues dhe dashamir të veturave të shpejta ishin mbledhur në pistën afër Aeroportit, ku edhe zhvillohen garat e organizuara nga FASK.

Dy vetura, njëra nga Kosova dhe tjetra nga Shqipëria ishin planifikuar të garonin në mes vete në këtë pistë.

Kur gjithçka ishte gati të fillonte Policia e Kosovës nuk e ka lejuar zhvillimin e kësaj gare pasi që organizatorët nuk e kishin lajmëruar atë.

Këtë për Indeksonline e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

Me datë 16/02/2020 është marr një informatë se sot rreth orës 12:00 në pistën e vjetër të aeroportit është duke u mbajtur një garë me vetura dhe se në atë lokacion ka shumë pjesëmarrës dhe vetura.  Sipas informatës rruga kryesore Magure- Sllatinë, si dhe rruga e vjetër e aeroportit është e veshtërusuar për qarkullim. Njësitë kompetente policore, përfshirë edhe disa njësi të specializuara kanë dal në atë lokacion. Rreth orës 13:05, nga njësitë tona në teren kemi marr informacionin se gara është ndërprerë pasi që nuk ka pas njoftim , dhe veturat te cilat kanë qenë të parkuara në të dy anët e rrugës kryesore kanë filluar ta lirojnë rrugën, përderisa gjendja në ato momente është raportuar të jetë e qetë dhe normale“, ka thënë Hoxha.

Ndërsa kryetari i FASK (Federatës së Autosporteve të Kosovës), Ismet Rexhepi ka thënë se organizatorët nuk kanë pasur leje për garë, por vetëm për ta shfrytëzuar pistën.

Policia ka pasur të drejtë për me e ndërpre këtë garë. Aty kanë të drejtë me organizua gara kushdo që arrin me siguruar leje përkatëse për organizimin e garës, askush nuk ka drejtë për me organizua gara pa leje, as klubet e as vetë Federata“, ka thënë Rexhepi.

Në këtë rast është dashur të marrin leje nga Komuna e Lipjanit, me atë leje me e njoftua Policinë për aktivitetin që ka me ndodhë dhe për numrin e njerëzve që kanë me marrë pjesë, në mënyrë që Policia me e vlerësua situatën, pasi që nëse ka shumë njerëz mund të ketë probleme në mes vete“, vazhdoi kryetari i FASK.

Prej neve e kanë pasë lejen ato dy vetura vetëm me e shfrytëzua pistën por në asnjë variant na nuk jemi autoriteti që mundemi me iu dhënë leje për me zhvillu gara. Neve na ka pyetur Policia nëse kemi lidhje me këtë organizim gjë që e kemi mohuar“, përfundoi Ismet Rexhepi.

Indeksonline ka kërkuar edhe versionin e organizatorëve, por ata nuk kanë pranuar të përgjigjen. /IndeksOnline/