75 Mall Live Search
16:11 / E Enjte, 22 Maj 2025 / FR

Policia dhe KFOR-i ndalojnë kontrabandë mallrash në Leposaviq, konfiskohen automjete dhe mallra në vlerë mbi 26 mijë euro

Më 21 maj 2025, rreth orës 18:10, gjatë një operacioni të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe trupave të KFOR-it, janë ndaluar disa automjete të ngarkuara me mallra të ndryshme në një rrugë ilegale në fshatin Gnjezdan, komuna e Leposaviqit.

Sipas njoftimit zyrtar, në këtë aksion janë ndaluar gjashtë automjete transportuese të mallrave dhe një veturë me targa të Serbisë, të cilat ishin të ngarkuara me produkte ushqimore, mjete teknike pune, mobilie dhe mallra të tjera. Shoferët e automjeteve ishin gjashtë shtetas të Serbisë dhe një shtetas i Republikës së Kosovës.

Vlera e përgjithshme e mallrave të konfiskuara vlerësohet të jetë mbi 26 mijë euro. Rasti është trajtuar nga njësitë kompetente të Drejtorisë Rajonale Kufitare-Veri, nën dyshimin për kontrabandë mallrash dhe tregti të paligjshme.

Përveç Policisë së Kosovës, në trajtimin e mëtejmë të rastit janë përfshirë edhe Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës, të cilat do të vazhdojnë procedurat hetimore dhe ligjore lidhur me këtë rast. Autoritetet kanë theksuar përkushtimin për të luftuar kontrabandën dhe veprimtaritë ilegale në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.