15:43 / E Enjte, 27 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Policia dhe Prokuroria japin detaje për vrasjen në Pejë

Policia dhe Prokuroria Themelore në Pejë kanë dhënë detaje mbi vrasjen e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qerim Kelmendi mëngjesin e sotëm në Zahaq të Pejës. Ata thanë se fillimisht dyshohet që ka pasur të shtëna drejt viktimës e më pas i ishte vënë zjarri veturës së tij.

Zëdhënësi i Policisë në Pejë, Xhevat Ibraj tha se janë duke punuar për të ndriçuar vrasjen e Kelmendit.

“Përveç këtyre njësive vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësitet relevante të sektorit të hetimeve. Prokurori i shtetit, njësiti K9 dhe ekipi mjekësor që kanë konstatuar vdekjen e viktimës”, tha ai.

Ibraj u shpreh se për këtë rast janë në koordinim me të gjitha institucionet tjera relevante.

“Sektori Rajonal i Hetimeve në bashkëpunim të plotë me prokurorin e shtetit janë duke marrë të gjitha veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti të cilësuar vrasje dhe janë duke bërë përpjekjet maksimale për të identifikuar kryesit e mundshëm”, tha ai.

Ndërsa, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi tha se dyshimet janë që drejt viktimës fillimisht ka pasur të shtëna me armë, pastaj zjarrëvënie.

“Dyshimet fillestare janë që ka pasur të shtëna me armë zjarri në viktimën, e më pa s zjarrëvënie në veturën e tij. Fatkeqësisht është i dëmtuar tejmase trupi i viktimës. Për çka edhe është dërguar në obduksion që të kryhet ekspertiza mjekoligjore”, tha ai.

Nikçi mes tjerash tha se janë duke punuar që të identifikohet kryesit e kësaj vepre.

“Në mënyrë intensive është duke u punuar në rrethanat hetimore që kjo çështje të ndriçohet sa më parë. Fillimisht në identifikimin pastaj në arrestimin e tyre”, tha ai.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm është gjetur i vdekur ish-ushtari i UÇK-së, Qerim Kelemendi. Kelemendi dyshohet se është vrarë dhe më pas edhe djegur në makinën e tij në një rrugë afër shtëpisë ku kishte banuar.