75 Mall Live Search
08:04 / E Premte, 01 Gusht 2025 / Z S

Policia dhe prokuroria mohojnë se ka rrezik nga telat elektrikë në liqenin e Ujmanit

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Veri, ka nisur hetime më 30 korrik 2025 lidhur me deklaratat e kryetarit të Shoqatës së Peshkatarëve të Kosovës, i cili kishte pohuar në media se në liqenin e Ujmanit janë vërejtur tela elektrikë të zhytur në ujë, që sipas tij, përbëjnë rrezik për qytetarët.

Lidhur me këtë ai është intervistuar nga autoritetet në cilësinë e dëshmitarit, ku ka deklaruar se gjatë një aksioni për largimin e varkave pa leje, kishte hasur në tela në ujë, të cilët nëse aktivizohen, sipas tij, mund të jenë të rrezikshëm.

Po ashtu policia ka pranuar edhe një video lidhur me rastin dhe menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitë përkatëse të kontrollit kufitar ujor kanë ndërmarrë kontrolle në terren.

Nga verifikimi është konstatuar se telat nuk janë të lidhur me energji elektrike dhe nuk paraqesin ndonjë rrezik për sigurinë publike.

Gjithashtu, Policia e Kosovës bën të ditur se nuk ka pasur ndonjë raportim të mëhershëm lidhur me këtë çështje.

Pas analizës së të gjitha provave dhe informacioneve, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka konkluduar se nuk ekzistojnë elemente që përbëjnë ndonjë vepër penale.

Policia u bën thirrje qytetarëve që të mos ndihen të shqetësuar apo të frikësuar, duke siguruar se çdo rast i dyshimtë trajtohet me seriozitet të lartë./Indeksonline/