75 Mall Live Search
09:49 / E Martë, 19 Shtator 2023 / L K

Policia e arreston një person që po transportonte në Kosovë ilegalisht 12 emigrantë, çmimi 600 euro për person

Policia e Shtetit në Shqipëria ka finalizuar operacionin policor të koduar “Tranzit 17”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Komisariati i Policisë Krujë.

Një shtetas u kap në flagrancë duke transportuar në drejtim të Kukësit, kundrejt pagesës 600 euro për person, 12 emigrantë që synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme, kufirin me Kosovën.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. M.(B.), 36 vjeç, banues në Kukës.

“Procedohen në gjendje të lirë 12 emigrantët, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Sekuestrohen automjeti i përdorur për transportimin e emigrantëve dhe 2 celularë. Ky shtetas është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në Fushë Krujë, duke transportuar me 1 automjet, nga Saranda në drejtim të Kukësit, kundrejt pagesës 600 euro për person, 12 emigrantë që kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri dhe synonin të kalonin po në mënyrë të paligjshme, kufirin me Kosovën, me destinacion final vendet e BE-së” thuhet në njoftimin e Policisë./Indeksonline/