14:42 / E Martë, 15 Tetor 2019 / indeksADMonline

Policia e Ferizajt nis projektin vetëdijësues për fenomenin e dhunës, në familje

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj , ka nisur zbatimin e projektit: “Fenomeni i dhunës në familje”, i cili ka për qëllim parandalimin e dhunës në familje dhe sensibilizimin e të gjithë qytetarëve të lidhur me këtë dukuri, rastet e të cilës janë në rritje e sipër.

Në këtë kuadër, DRP-ja e Ferizajt ka bashkërenduar aktivitetet ndërmjet përgjegjësve dhe hetuesve të Sektorit Rajonal të Hetimeve, përkatësisht të Njësisë së Dhunës në Familje me të gjitha stacionet policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj.

Sipas një komunikate të policisë së Ferizajit thuhet se zbatimi i këtij projekti ka nisur me ligjërata nëpër shkolla. Deri tani janë mbajtur disa ligjërata në shkollat e Ferizajit, të Shtimes dhe të Hanit të Elezit, për të vazhduar pastaj edhe në të gjitha shkollat e planifikuara të rajonit të Ferizajit.

Për mbarëvajtjen dhe ecurinë e projektit janë angazhuar edhe zyrtarë policorë të Njësitit të Komunitetit, duke bashkëpunuar ngusht me drejtoritë komunale të arsimit.

Ky projekt për vetëdijësimin kundër dhunë në familje do të zgjasë deri me 31 tetor./Indeksonline/