75 Mall Live Search
18:50 / E Enjte, 21 Nëntor 2024 / Z S

Policia e Kosovës hedh poshtë raportimet se kaluan vijën kufitare me Serbinë

Policia e Kosovës ka reaguar lidhur me një lajm kinse disa zyrtarë policorë të Kosovës kanë kaluar vijën kufitare me Serbinë në veri të vendit.

Sipas Policisë shkrimet e tilla të referuara në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë.

‘’Policia e Kosovës (PK), me qëllim të informimit të drejt të opinionit dhe qytetarëve, reagon ndaj disa shkrimeve të publikuara kryesisht në media serbe, e të cilat i referohen një njoftimi të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, se kinse sipas tyre një grup pjesëtarësh të armatosur rëndë të Policisë së Kosovës kanë kaluar në mënyrë të paautorizuar vijën kufitare me Serbinë në veri të vendit.Shkrimet e tilla të referuara në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë’’, thuhet në njoftimin e PK-së.

Sipas Policisë, këto shkrime dhe njoftimi i publikuar si i tillë, është një dezinformacion i cili ka për qëllim të krijoj pasiguri te qytetarët e asaj zone dhe të njollosë punën e Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës, si institucion i besueshëm dhe transparent do kujdeset në vazhdimësi që të ofrojë informacione zyrtare për media dhe opinionin e gjerë, kurdo që ato kërkohen dhe janë të nevojshme për media dhe publikun, thuhet më tutje në reagim./Indeksonline/