Policia e Kosovës investon mbi 10 milionë euro në uniforma për zyrtarët policorë
IndeksOnline
E Premte, 12 Qershor 2026 20:26Policia e Kosovës ka përmbyllur një nga tenderët më të mëdhenj të furnizimit të viteve të fundit, duke dhënë kontratë në vlerë prej 10.64 milionë eurosh për furnizimin me uniforma standarde policore për zyrtarët policorë.
Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, marrëveshja i është besuar grupit të operatorëve ekonomikë “EMPREUS” Sh.p.k., “Seyntex” dhe “BOULEVARD” Sh.p.k., ndërsa kontrata është dhënë më 11 qershor 2026 dhe pritet të nënshkruhet më 12 qershor, shkruan IndeksOnline.

Tenderi kishte të bënte me furnizimin e uniformave standarde policore për femra dhe meshkuj, ndërsa në garë kanë marrë pjesë tetë operatorë ekonomikë. Fituesi është përzgjedhur sipas kriterit të çmimit më të ulët.
Vlera e parashikuar e tenderit ishte mbi 11.3 milionë euro, ndërsa kontrata u finalizua për 10.64 milionë euro. Marrëveshja kornizë do të ketë kohëzgjatje prej 36 muajsh dhe furnizimet do të realizohen për nevojat e Policisë së Kosovës përmes Bazës së Logjistikës.
Dhënia e kontratës është bërë pas një vendimi të Gjykatës Komerciale të Kosovës, Dhoma e Shkallës së Dytë, të datës 19 maj 2026./IndeksOnline/








