13:28 / E Premte, 11 Maj 2018 / indeksADMonline

Policia e Kosovës kërkon urgjentisht sigurimet shëndetësore

17 pjesëtarë Policisë së Kosovës kanë humbur jetën në krye të detyrës zyrtare kurse shumë të tjerë kanë marrë lëndime trupore. Rasti më i freskët është humbja e jetës së dy pjesëtarëve të Policisë në rrugën magjistrale Hani i Elezit-Kaçanik. Bëhet fjalë për Malsor Dashi e Armend Trena të cilët ranë në lumin Lepenc me makinën zyrtare më 28 prill, për tu gjetur pas disa ditësh kërkimi në rrjedhën e këtij lumi.

Por sigurimet shëndetësore për pjesëtarët e Policisë së Kosovës tash e 18 vite po konsiderohen të jenë një domosdoshmëri. Kjo është arsyeja se pse Shoqata e Sigurimeve të Kosovës i ka dërguar një shkresë Kryeministrit, Ramush Haradinaj, ku kërkohet sigurimi i shëndetit dhe i jetës për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Nënkryetari i Sindikatës së Policisë, Shaban Tasholli në një prononcim për Indeksonline ka thënë se sigurimi shëndetësor, aksidental dhe jetësor janë çështje emergjente.

“Rasti i fundit që humbëm dy kolegë vërtet i ka trondit të gjithë punonjësit e Policisë së Kosovës, institucionet dhe gjithë qytetarët e vendit tonë. Sigurimi shëndetësor, aksidental dhe jetësor patjetër se janë emergjente”, u shpreh ai.

Tasholli tha se është e tepruar që mbas 18 vitesh nga krijimi i Policisë së Kosovës të mos ketë sigurim shëndetësor, edhe pse sipas tij janë takuar me Kryeministrin e Kosovës dhe ministrat kompetent.

“Kemi pasur takim me kryeministrin, me ministrat e dikastereve kompetente, me menaxhmentin e Policisë së Kosovës dhe në të gjitha takimet kishte përpjekje dhe interesim për tu zgjidh kjo çështje”, tha nënkryetari i Sindikatës së Policive.

Tasholli e konsideron shumë të rëndësishme shkresën e Shoqatës së Kompanive të Sigurimeve drejtuar Kryeministrit, duke thënë se ato janë shqetësimet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

“Në tërësi e mbështesim shkresën e Shoqatës të Kompanive të Sigurimeve që i ka dërgu kryeministrit, të njëjtën na e kanë dërguar edhe neve dhe jemi të njohur me përmbajtjen e saj. I falënderojmë për shqetësimet dhe brengat e shfaqura në shkresë dhe gatishmërinë e tyre për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj çështje jetike për punonjësit e Policisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Por Tasholli parasheh se dialogu është mjeti i cili do të përdoret në arritjen e qëllimeve të këtij institucioni, e jo ndonjë mjet tjerë.

“Sindikata e Policisë ka dëshmuar deri më sot se i jep përparësi dialogut social, andaj shpresojmë se kjo çështje definitivisht do të zgjidhet si rezultat i dialogut”, thuhet në përgjigjen e Sindikatës së Policive të Kosovës.

Rikujtojmë që Qeveria e Kosovës para disa ditësh ka ndarë nga 10 mijë euro për familjet e Malsor Dashit dhe Armend Trenës./Indeksonline/