Policia e Kosovës konfirmon vdekjen e një punëtori në Prishtinë

Policia e Kosovës ka konfirmuar informacionin që publikoi pak më herët Indeksonline, për një punëtor, i cili përderisa ishte duke punuar ka vdekur si pasojë e lëndimeve trupore, pasi ka rënë nga lartësia.
“Rasti ka ndodhur në lagjen Prishtina e re në Prishtinë, saktësisht brenda një objekti, ku viktima ka rënë nga një lartësi dhe ka pësuar lëndime. Viktima mashkull (1976), nuk ka arritur të përballojë plagët dhe i njëjti në QKUK, ka ndërruar jetë”, ka bërë të ditur për Indeksonline, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ajo ka thënë se rasti po hetohet nga njësitet kompetente, në koordinim me prokurorinë dhe inspektoratin e punës.