75 Mall Live Search
13:52 / E Hënë, 07 Nëntor 2022 / k.v

Policia e Kosovës mbikëqyr rendin dhe sigurinë publike në veri

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shpreson që KFOR dhe EULEX do ta kryejnë punën policore në veri të Kosovës pas dorëheqjeve të pjesëtarëve serb nga ky institucion. Sipas tij, plotësimi i vendeve vakante me shqiptarë, “çon në fatkeqësi”.

Por njohësit e fushës së rendit dhe drejtësisë thonë se kjo kërkesë e Beogradit duhet të injorohet në tërësi, pasi që Policia e Republikës së Kosovës ka kompetenca të plota për mbikëqyrjen e rendit dhe sigurisë publike edhe në veriun e Kosovës.

“Kërkesat e tilla të përfaqësuesve serb duhet të injorohen në tërësi. Pasi në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, Policia e Republikës së Kosovës ka kompetenca të plota për mbikëqyrjen e rendit dhe sigurisë publike edhe në veriun e Kosovës, prandaj një kërkesë e tillë as nuk duhet të vije në shprehje”, ka thënë për IndeksOnline, Lavdim Makshana, hulumtues në Institutin Kosovar për Drejtësi.

Sipas tij, ndërhyrja e KFOR-it në atë pjesë do vinte në shprehje vetëm në rastet kur ka trazira dhe situata bëhet e pa menaxhueshme për institucionet tona.

“Edhe pse akti i dorëheqjes nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës të serbëve të veriut është akt i njëanshëm, mund të themi se marrëveshjet për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë po shkelen njëanshëm nga ta”, ka thënë Makshana duke shtuar se me plotësimin e pozitave në Institucionet e Kosovës me shqiptarë edhe Kosova do të bëhej pjesë e shkeljes së marrëveshjeve të Brukselit.

Prandaj, sipas tij, është shumë e rëndësishme që të gjitha veprimet të jenë të matura dhe të koordinuara me bashkësinë ndërkombëtare.

Ai ka deklaruar se pas vendimit të serbëve për largimin nga institucionet e Republikës së Kosovës, është krijuar një gjendje e vështirë në institucionet në përgjithësi e në ato të zbatimit të ligjit në veçanti.

“Pra, në rast se gjyqtarët dhe policët, përfshirë edhe prokurorët vendosin të japin dorëheqje nga pozitat e tyre, ky veprim do të rëndonte tej mase gjendjen edhe ashtu të rënduar në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Kosova dhe Serbia në vitin 2013 kanë arritur një marrëveshje për drejtësi, ku sipas kësaj marrëveshje rregullohen numri, përzgjedhja dhe emërimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve”, ka thënë hulumtuesi në IKD, Lavdim Makshana.

Pra, në kuadër të kësaj marrëveshje, ai thotë se parashihej integrimi i komunitetit serb të asaj pjese.

“Është shumë e rëndësishme që secili institucion të ndërmarr veprime të matura dhe miratimi i dorëheqjes nga secili institucion përkatës të jetë veprimi i fundit. Nëse veç këto dorëheqje miratohen, atëherë do të kishim një administrim të drejtësisë të cunguar në atë pjesë sikurse ka qenë para arritjes së marrëveshjeve të Brukselit”, ka shtuar ai.

Rikujtojmë se serbët kanë marr vendim që të largohen nga institucionet e Kosovës në shenjë revole siç thonë ata të shkeljes së marrëveshjes së Brukselit për mos themelim të asociacionit dhe për presionin që po u bëhet atyre rreth konvertimit të targave në RKS./IndeksOnline/