Policia e Kosovës paralajmëron për e-maila të rremë që keqpërdorin emrin e institucionit
Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim zyrtar për të sqaruar opinionin publik lidhur me qarkullimin e disa e-mailave të rremë, të cilët po shpërndahen në adresa të ndryshme elektronike duke u paraqitur në mënyrë të rreme si dokumente zyrtare të këtij institucioni.
Sipas Policisë, këto e-maila përmbajnë informacione jozyrtare dhe të falsifikuara, të cilat pretendojnë se janë lëshuar nga Policia e Kosovës, nga Drejtori i Përgjithshëm i PK-së apo edhe nga institucione e organizata të tjera vendore dhe ndërkombëtare, si Agjencia e Sigurisë Kibernetike në Kosovë, Byroja Federale e Hetimeve, Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik dhe Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale.
Në këto mesazhe, dokumentet janë të emërtuara si “THIRRJE GJYQËSORE” dhe shoqërohen me numra referues të dosjeve, duke krijuar përshtypjen e një njoftimi zyrtar. Policia e Kosovës thekson se këto nuk janë dokumente zyrtare dhe nuk janë lëshuar nga asnjë zyrtar i lartë i PK-së, por bëhet fjalë për e-maila dhe dokumente të falsifikuara me qëllime të caktuara mashtruese.
Policia bën të ditur se, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ka nisur hetime intensive pas informacioneve për përsëritjen e rasteve të tilla. Për këtë qëllim, janë angazhuar njësitet kompetente policore për hetimin, verifikimin dhe identifikimin e autorëve të kësaj vepre penale.
Njëkohësisht, Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e dezinformatave dhe mashtrimeve të tilla. Të gjithë ata që pranojnë e-maila apo dokumente të dyshimta që pretendojnë të jenë nga Policia e Kosovës, ftohen t’i raportojnë ato në adresën zyrtare të PK-së./Indeksonline/

