Policia e Kosovës sekuestron mbi 131 vetura të paregjistruara
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar – Njësia për Hetimin e Auto-krimeve, në bashkëpunim të plotë me Doganat e Kosovës dhe njësitë tjera policore, ka ndërmarrë një operacion të gjerë policor të quajtur “TARGAT”.
Operacioni policor është shtrirë në tërë territorin e Kosovës dhe kishte për qëllim identifikimin e veturave të pa regjistruara, të cilat janë importuar nga shtetet evropiane e të cilat në vendin e origjinës ishin të ç’lajmëruara, ndërkaq në vendin tonë kishin paguar vetëm sigurim të përkohshëm, transmeton Indeksonline.
“Operacioni policor i zhvilluar nga data 15.10.2018 deri më datë 12.11.2018, ka rezultuar me kontrollimin e një numri të madh të veturave, në mesin e të cilave janë sekuestruar 131 vetura të cilat janë dërguar në Doganat e Kosovës për vazhdim të procedurave doganore. Po ashtu janë konfiskuar edhe 2 vetura që dyshohet se janë të vjedhura”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje nga policia është theksuar se do të vazhdohet me aktivitete të tilla edhe në të ardhmen në mënyrë që veprimet e tilla antiligjore të minimizohen, rrugët të jenë më të sigurta dhe të mos dëmtohet buxheti i vendit. /Indeksonline/