10:58 / E Enjte, 18 Shkurt 2021 / OSH

Policia e Kosovës tregon ngjarjen të rruga “B”: Intervenimi ynë, shpëtoi jetën e qytetarëve

Indeksonline ka raportuar mbrëmë për një plagosje që ka ndodhur te rruga “B”. Policia e Kosovës ka thënë për këtë rast se intervenimi i tyre ka bërë që të shpëtohet jeta e qytetarëve.

“Mbrëmë rreth orës 22:00 kemi marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën “B” në Prishtinë.
Rastit i është përgjigjur njësiti policor që gjendej në një pikë kontrolli në afërsi të vendit të ngjarjes.

Pas intervenimit policor edhe me gjithë dhënien e urdhrave verbal, njëri nga personat e dyshuar nuk ka respektuar urdhrat e zyrtarëve policorë dhe në vazhdimësi ka shtënë me armë zjarri në drejtime të ndryshme dhe ka plagosur edhe një kalimtar rasti.

Duke marrë në konsideratë faktin se veprimet e të dyshuarit përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe potencialisht të rrezikshëm për qytetarët dhe për vetë zyrtarët policorë, polica domosdoshmërisht është detyruar të përdorte armën e zjarrit me qëllim të neutralizimit të veprimeve të tilla të rrezikshme të të dyshuarit si edhe për ta vënë atë nën kontroll, me ç rast është plagosur personi i dyshuar. Personit të dyshuar po ashtu i është sekuestruar arma e përdorur në rast.

Personat e lënduar kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë në gjendje shëndetësore të qëndrueshme.
Personit të dyshuar, R. R, mashkull, 29 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i është shqiptuar masa e ndalimit, ndërkohë që nga hetuesit po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme policore rreth këtij rasti.

Strukturat policore të Drejtorisë rajonale të Prishtinës në kuadër të veprimtarisë për përmbushjen e misionit për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike, do të jenë vazhdimisht të angazhuara për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale si edhe vënien para drejtësisë së personave të implikuar në aktivitetet kriminale”, thuhet në njoftimin e policisë./Indeksonline/