Policia e Kosovës vazhdon masat për rritjen e sigurisë rrugore në Gjakovë

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka vazhduar me aktivitete të shtuara policore për të parandaluar aksidentet dhe për të rritur sigurinë në komunikacionin rrugor. Këto masa vijnë si pjesë e një plani operativ të quajtur “DRONI”, i cili fokusohet në identifikimin dhe ndëshkimin e kundërvajtësve, sidomos atyre që kryejnë tejkalime të rrezikshme dhe shkelje të tjera të rregullave të trafikut.
Në kuadër të këtij plani gjashtë (6) ditor, janë shqiptuar 752 gjoba për kundërvajtje të ndryshme, përfshirë:
– Tejkalimin e shpejtësisë mbi normat e lejuara,
– Përdorimin e telefonit gjatë ngasjes,
– Mos vendosjen e rripit të sigurisë gjatë ngasjes, etj.
Gjithashtu, 125 shoferëve u janë marrë përkohësisht patentë shoferët dhe janë marrë masa mbrojtëse për ndalimin e drejtimit të mjeteve motorik. Këto masa janë ndërmarrë ndaj shoferëve që kanë kryer shkelje të rënda të rregullave të komunikacionit, si tejkalime në zona të ndaluara dhe tejkalime të kolonës së mjeteve, duke rrezikuar sigurinë e pjesëmarrësve në trafik.
Policia e Kosovës apelon tek të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut, të shmangin tejkalimet e rrezikshme dhe të kontribuojnë në një trafik më të sigurt për të gjithë qytetarët. Policia do të vazhdojë të zbatojë masa preventive dhe ndëshkuese për të garantuar një mjedis më të sigurt rrugor.