75 Mall Live Search
10:15 / E Hënë, 17 Mars 2025 / k.v

Policia e Prishtinës ekzekuton 338 urdhëresa dhe sekuestron 11 armë zjarri

Policia e rajonit të Prishtinës ka vazhduar aktivitetet e saj intensive për zbatimin e Ligjit dhe forcimin e sigurisë. Gjatë javës së kaluar, në lokacione të ndryshme dhe aksione të ndara, janë ekzekutuar gjithsej 338 urdhëresa gjyqësore, prej të cilave 121 për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca gjyqësore dhe verifikime.

Personat e dënuar me burgim janë dërguar në vuajtje të dënimit, ndërsa ata të dënuar me gjobë janë liruar pas përmbushjes së detyrimeve.

Gjithashtu, policia ka marrë masa në segmente të tjera të sigurisë, duke sekuestruar 11 armë zjarri dhe sasi të ndryshme municionesh.

Në fushën e sigurisë rrugore, aktivitetet policore kanë rezultuar me shqiptimin e 5063 gjobave për shkelje të kodit rrugor, ku 815 prej tyre janë evidentuar përmes veturave inteligjente dhe radarëve mobilë.

Policia e Prishtinës vazhdon angazhimin për rritjen e sigurisë dhe zbatimin e ligjit në të gjitha aspektet.