Policia e Prishtinës intensifikon kontrollet në trafik – 11 mijë gjoba dhe 268 leje të konfiskuara vetëm në tremujorin e parë (Video)

Policia e Rajonit të Prishtinës, përkatësisht Njësiti Rajonal i Trafikut Rrugor, ka nisur implementimin e kontrolleve të shtuara në kuadër të planeve operative vjetore dhe sezonale, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe parandalimin e aksidenteve.
Fokus i veçantë i këtyre kontrolleve është respektimi i tri rregullave bazë të qarkullimit rrugor:
– Përdorimi i rripit të sigurisë,
– Respektimi i semaforëve,
– Ndalimi i përdorimit të telefonit gjatë ngasjes.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në tremujorin e parë të vitit 2025 janë shqiptuar 11,283 masa kundërvajtëse, ndërsa janë konfiskuar përkohësisht 268 leje drejtimi për shkelje të ndryshme.
Në aspektin statistik, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, është shënuar një rënie e lehtë e aksidenteve në trafik:
– Aksidentet me pasoja fatale kanë mbetur në të njëjtin nivel,
– Aksidentet me lëndime trupore kanë rënë për 13%,
– Numri i personave të lënduar është ulur për 6%.
Policia thekson se aksionet parandaluese do të vazhdojnë edhe në muajt në vijim, me qëllim uljen e numrit të aksidenteve dhe rritjen e ndërgjegjësimit të pjesëmarrësve në trafik për respektimin e sinjalistikës rrugore.
“Siguria në komunikacion është përgjegjësi e përbashkët. Do të vazhdojmë pa ndalë me kontrollet dhe fushatat vetëdijesuese për ta bërë trafikun më të sigurt për të gjithë qytetarët,” thuhet në njoftimin e Policisë.