Policia e Prishtinës realizon mbi 180 urdhëresa gjyqësore dhe sekuestron armë

Policia Rajonale e Prishtinës ka vazhduar me aktivitete të shtuara në fushën e sigurisë dhe zbatimit të ligjit, duke realizuar një numër të konsiderueshëm të urdhëresave dhe kontrolleve në terren gjatë javës së kaluar.
Sipas njoftimit zyrtar, zyrtarët policorë kanë zbatuar gjithsej 189 urdhëresa gjyqësore në lokacione të ndryshme të rajonit. Nga këto, 29 urdhëresa kanë qenë për vepra penale, ndërsa pjesa tjetër për kundërvajtje, seanca gjyqësore dhe verifikime të tjera.
Personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa ata të dënuar me gjobë janë liruar pas përmbushjes së obligimeve të përcaktuara në urdhëresa.
Në kuadër të operacioneve për siguri, policia ka sekuestruar 5 armë zjarri dhe municion të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm.
Një tjetër fokus i javës ka qenë edhe siguria në trafikun rrugor, ku janë shqiptuar 3459 masa administrative me gjobë, për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Prej tyre, 630 gjoba janë shqiptuar përmes veturave inteligjente dhe radarëve mobilë.
Policia Rajonale e Prishtinës thotë se aktivitetet e tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me qëllim të garantimit të rendit dhe sigurisë publike.