22:08 / E Enjte, 15 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Policia e Shqipërisë tregon të vërtetën se si iku Gruevski me veturën e ambasadorit

Policia e Shtetit ka reaguar pas lajmit se ish-kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski është arratisur nga Shqipëria. Në fakt policia konfirmon se Gruevski ka qenë me makinën diplomatike të ambasadës hungareze dhe ka kaluar nga Hani i Hotit dy ditë para se të shpallej në kërkim ndërkombëtar.

Por nga ana tjetër policia nuk e bën të qartë në deklaratën e saj se nga ka hyrë në Shqipëri ish-kryeministri i Maqedonisë.

Gruevski u bë i gjallë nga Budapesti dhe deklaroi se ka kërkuar azil politik. Nga ana tjetër Hungaria ka thënë se nuk e ka ndihmuar ish-kryeministrin e Maqedonisë. Po sot DASH ka kërkuar që ai të vuajë dënimin në Maqedoni.

DEKLARATA E POLICISË

Departamenti i Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit duke iu përgjigjur interesimit të medias në lidhje me hyrjen dhe daljen nga territori i Republikës së Shqipërisë të shtetasit Nikola Gruevski, ju informon se:

Shtetasi Nikola Gruevski më datë 11.11.2018, rreth orës ora 19:11, ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit në drejtim të Malit të Zi, si pasagjer në automjetin me targë CD1013A, në pronësi të Ambasadës Hungareze në Tiranë.

Në datën 11.11.2018 për shtetasin Nikola Gruevski nuk ka patur asnjë njoftim në kufi apo shpallje si person në kërkim.

Interpol Shkupi në datë 13.11.2018, rreth orës 19.35 i ka dërguar Interpol Tiranës njoftimin për shpallje në kërkim ndërkombëtar për këtë shtetas.