20:48 / E Diele, 19 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Policia e vlerson të sukseseshëm planin policor për balotazhin

Angazhimet policore në planin operativ për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale në raundin e dytë, që kishin për qëllim ofrimin e sigurisë, mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para dhe gjatë procesit të balotazhit, janë realizuar me sukses nga Policia e Kosovës.

Plani policor ka paraparë edhe inicimin dhe procedimin e çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit, duke përfshirë edhe masat penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit, të cilat sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Policia e Kosovës edhe këtë herë ka bërë vlerësimet e saja në aspektin e sigurisë, dhe ka vlerësuar se në përgjithësi procesi zgjedhor-balotazhi ka kaluar i qetë dhe pa incidente madhore, por me disa incidente të vogla të cilat në një mënyrë apo tjetër nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Bazuar në raportimet zyrtare të deritanishme janë evidentuar disa incidente të natyrave të ndryshme, por që me veprimet profesionale dhe të menjëhershme janë menaxhuar me sukses nga autoritetet kompetente, Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit.

 Në Policinë e Kosovës në të gjitha rajonet ku është zhvilluar procesi i balotazhit dhe në komunën ku është ri-votuar, është evidentuar vetëm një (1) rast penal i pengimit të procesit të votimit, si dhe janë trajtuar disa informacione apo incidente të natyrave të ndryshme, të cilat Policia e Kosovës i ka trajtuar dhe menaxhuar me sukses sipas procedurave të parapara ligjore.