75 Mall Live Search
18:07 / E Premte, 25 Prill 2025 / MSH

Policia gjen armë dhe shufër metalike te nxënësit në një shkollë të Ferizajt

Sot rreth orës 13:20, në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, zyrtarët policorë, gjatë patrullimit në kuadër të planit operativ “Stop Droga në Shkolla”, kanë pranuar informatë për dy persona të dyshuar që mund të posedonin armë dhe mjete të forta.

Menjëherë pas pranimit të informatës, policia ka ndërhyrë në vendin e ngjarjes dhe ka ndaluar dy persona të mitur me inicialet R.Xh. dhe N.H. Gjatë kontrollit, tek i mituri R.Xh. është gjetur një armë zjarri, ndërsa te N.H. një shufër metalike.

“Të dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj. Me urdhër të prokurorit të shtetit për të mitur, R.Xh. është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe prindit, pas së cilës është liruar në procedurë të rregullt. Ndaj N.H. është përpiluar një shënim zyrtar dhe edhe ai është liruar, me rastin që do të trajtohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e policisë.