75 Mall Live Search
17:50 / E Diele, 14 Shtator 2025 / F.R

Policia holandeze “trembet” nga shqiptarët, ngrihet helikopteri mbi Hagë

Shqiptarët që protestuan pranë gjykatës së Hagës në mbrojtje të udhëheqësve të UÇK-së, iu drejtuan godinës për të vendosur aty pankartat me mesazhe për lirimin e ish luftëtarëve.

Por, policia holandeze i bllokoi ata, duke moslejuar afrimin e tyre në institucionin e drejtësisë. Ndërkohë, sikurse duket në pamjet që sjell gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, policia ka ngritur edhe helikopter duke forcuar kontrollin dhe sigurinë në qytet.

Në Gjykatën Speciale, rasti kryesor po zhvillohet kundër ish-krerëve të UÇK-së, përkatësisht ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Kosovës, Rexhep Selimi. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i kanë hedhur poshtë të katërtit.

Protesta në Hagë u mbajt një ditë para se mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të nisë paraqitjen e provave të saj dhe dëshmitarëve. Që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, që të katër të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë, ku janë Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më prill të vitit 2023. Në mbi dy vjet, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri 125 dëshmitarë si dhe ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave./topchannel/