Policia ia ndalon hyrjen në Kosovë zyrtarit serb, po shkonte në veri për të shpërndarë dhurata

Policia e ka ndaluar që të hynte në Kosovë zyrtarin serb nga Zyra e ashtuquajtur për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Milorad Arlov.
Kështu është raportuar në portalin Kosovo Online, ku thuhet se Arlovi është ndalur në vendkalimin kufitar në Jarinje.
Pas këtij ndalimi ka reaguar e ashtuquajtura Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Aty thuhet se Arlovi po vinte në Kosovë për të shpërndarë 1 mijë paketa me dhurata për fëmijët si edhe gjashtë bursa.
“Vendimet e tyre politike dhe masat e paarsyeshme tani kanë prekur banorët më të rinj të Kosovës, të cilët do të privohen nga momentet e gëzimit dhe dhuratat e festave, sepse autoritetet e Prishtinës kanë filluar të lajnë llogaritë me paketat e Vitit të Ri”, thuhet në deklaratën e autoriteteve të Serbisë.
Pak ditë më parë në veri të vendit, por edhe në disa vendbanime me shumicë serbe ka qëndruar edhe djali i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.