75 Mall Live Search
17:52 / E Hënë, 23 Qershor 2025 / FR

Policia intensifikon kontrollet ndaj shoferëve nën ndikim të alkoolit në kuadër të ROADPOL, ndalohen 19 shoferë

Policia e Kosovës, në kuadër të planit operativ evropian ROADPOL 2025 (Rrjeti Evropian i Policive Rrugore), ka realizuar aktivitete të shtuara gjatë periudhës 16–22 qershor, me fokus në kontrollin e shoferëve për përdorim të alkoolit.

Gjatë kësaj jave të dedikuar për rritjen e sigurisë në trafikun rrugor dhe parandalimin e aksidenteve, njësitë e trafikut kanë shtuar prezencën policore në të gjitha rrugët e vendit, duke ndërmarrë një numër të konsiderueshëm të pikave kontrolluese.

Si rezultat i zbatimit të këtij plani janë:

-vendosur 722 pika kontrolli për automjete

-338 shoferë janë ndaluar dhe kontrolluar

-19 shoferë kanë rezultuar nën ndikimin e alkoolit, ndaj të cilëve janë ndërmarrë masa ligjore sipas legjislacionit në fuqi

Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në zbatimin e standardeve evropiane të sigurisë rrugore dhe do të vazhdojë me aktivitete parandaluese dhe ndëshkuese për të mbrojtur jetën e pjesëmarrësve në trafik./IndeksOnline/