75 Mall Live Search
08:57 / E Shtunë, 05 Gusht 2023 / mp

Policia me raport për plagosjen e mbrëmshme: Katër të plagosur nga arma e zjarrit, 17 të tjerë nga thyerja e gotave-shisheve

Policia e Kosovë në raportin 24 orësh ka dhënë detje për rastin e mbrëmshëm.

Sipas PK-së dyshohet se pas një mosmarrëveshje në një lokal, në mes të disa të  dyshuarve meshkuj kosovarë, janë përdorur edhe armë zjarri  (të shtëna me armë zjarri), si pasojë e kësaj lëndime trupore kanë pësuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë (nga arma e zjarrit), ndërsa si pasojë e thyerjeve të gotave–shisheve të qelqit lëndime kanë pësuar 17 persona, prej tyre tre meshkuj dhe 14 femra.

Katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë). Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit relevante policore dhe njësia  K-9, në vend-ngjarje janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku. Një i dyshuar mashkull gjendet në arrati.

Ndryshe, mbrëm rreth orës 23:30, është raportuar për të shtëna me armë zjarri në një lokal në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë.

Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para dyshohet se disa persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit apo edhe nga fragmente qelqi.

Ndërkohë që të lënduarit janë dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore .

Aktualisht së paku dy të dyshuar janë identifikuar si të implikuar në rast, përderisa po punohet edhe për identifikimin e të dyshuarve të tjerë të mundshëm.