75 Mall Live Search
17:09 / E Premte, 24 Maj 2019 / indeksADMonline

Policia jep detaje lidhur me dyshimet për bombë në dy institucionet e drejtësisë

Gjatë ditës, Prishtina është alarmuar nga një kërcënim për vendosje të bombës në objektet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe të Prokurorisë Speciale, përcjellë Indeksonline.

Pas evakuimit të personelit në këto institucione dhe mbylljes së rrugës “Luan Haradinaj”, Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja nga ky kërcënim.

Përmes një njoftimi për media, PK bën të ditur se edhe pas kontrolleve të bëra në këto institucione nga njësitet relevante, nuk është gjetur ndonjë mjet i dyshuar.

Sipas Policisë, i dyshuari për këtë kërcënim ende nuk është identifikuar derisa njësitet relevante janë duke punuar në këtë drejtim.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të Policisë:

Sot me datë 24.5.2019 rreth orës 10:30, në zyrën e pranimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, janë pranuar tri (3) thirrje telefonike. Në këto thirrje telefonike është lajmëruar një person mashkull i cili ka kanosur me vendosje të mjetit shpërthyes në drejtim të institucioneve të drejtësisë konkretisht Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet operative dhe hetimore duke bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, duke bërë evakuimit e personelit, njoftimin e njësive të specializuara duke përfshirë njësitin e materieve shpërthyese dhe njoftimin e prokurorisë kompetente. Janë kontrolluar të dy ndërtesat, ndërtesa e Këshillit Gjyqësor dhe ndërtesa e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës.

Nga të gjitha veprimet operative dhe hetimore që ka ndërmarrë Policia e Kosovës, nuk ka rezultuar me të gjetur të ndonjë mjeti të dyshuar, dhe rreth orës 15:00 është liruar vendi i ngjarjes dhe rruga për qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve.

Sa i përket identifikimit të personit të dyshuar i cili ka kryer kanosjen me mjet shpërthyes, Policia e Kosovës është duke punuar intensivisht në identifikimin e personit dhe abonuesit të numrit të telefonit nga i cili është kryer kanosja.

Në vazhdim, Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim identifikimin e personit/personave të dyshuar dhe procedimin e tyre para organeve të drejtësisë. /Indeksonline/