75 Mall Live Search
20:42 / E Diele, 31 Korrik 2022 / MSH

Policia jep detaje mbi situatën në Veri

Policia e Kosovës është duke mbikëqyrur situatën e tensionuar në Veri, pasi serbët kanë vendosur barrikada në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

“Referuar informacioneve zyrtare të deritanishme, vazhdojnë bllokimet e rrugëve në disa lokacione të ndryshme në Veri të Mitrovicës në drejtim të dy pikë kalimeve kufitare Jarinje dhe Bernjak, të cilat pika janë mbyllur për qarkullim.

Deri më tani nuk ka informacione zyrtare për ndonjë plagosje të qytetarëve apo të ndonjë zyrtari policorë, andaj ftojmë dhe iu bëjmë thirrje të gjitha mediave dhe qytetarëve që të mos bien pre e informacioneve-lajme të rreme, të cilat kanë tendencë destabilizimin e situatës dhe krijimin e panikut.

Policia e Kosovës vazhdon angazhimet e saja me njësitet policore, në ofrim e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallime, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike” thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.