75 Mall Live Search
14:10 / E Enjte, 13 Mars 2025 / MSH

Policia jep detaje për aksidentin që përfundoi me fatalitet për shoferin nga Vushtrria

Mëngjesin e sotëm, një autobus që po bartte nxënësit nga fshati Duboc, u aksidentua.

Nga plagët e rënda që mori, ndërroi jetë shoferi i autobusit, raporton IndeksOnline.

Ndërkaq, disa nxënës që ishin duke udhëtuar pësuan lëndime trupore, për të cilat po marrin tretman mjekësor.

Lidhur me rastin është deklaruar zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, që pohon se aksidenti ka ndodhur rreth orës 08:00, në fshatin Galicë.

“Në aksident është përfshirë një veturë, ku si pasojë e lëndimeve të pësuara rreth orës 11:00 nga SHSKUK-ja është raportuar  se ka humbur jetën shoferi i veturës  viktima H.S., 59 vjeçar, ndërsa lëndime kanë pësuar edhe shtatë pasagjeret që ndodheshin në automjet”, tha Zahiti për IndeksOnline. 

Zahiti shtoi se nga hetimet fillestare në vendngjarje, bëhet e ditur se shkaktar i aksidentit dyshohet të ketë qenë pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës.

Sipas tij, kësisoj edhe përfundoi jashtë rrugës automjeti që po qarkullonte në një rrugë lokale të fshatit.

“Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës  është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, përfundon Zahiti.